Rreth Urdhrit të Stomatologut

Urdhri i Stomatologut në Republikën e Shqipërisë është ent publik, jobuxhetor, i cili përfaqëson interesat e përbashkët të profesionistëve, stomatologë dhe ndihmësstomatologë, si dhe rregullon marrëdhëniet ndërmjet tyre në funksion të publikut.

 

Misioni i Urdhrit të Stomatologëve është ruajtja e standardeve të larta në formimin dhe ushtrimin e profesioneve në fushën e stomatologjisë dhe mbrojtja e pacientëve dhe publikut nga kequshtrimi i profesionit të stomatologut.

Për të përmbushur misionin e tij, Urdhri i Stomatologëve ushtron këto kompetenca:

a) jep dhe heq licencën individuale të ushtrimit të profesionit;

b) vendos standarde etike dhe deontologjike, të detyrueshme për çdo stomatolog dhe monitoron zbatimin e tyre gjatë ushtrimit të profesionit;

c) rivlerëson periodikisht kompetencën dhe performancën profesionale të anëtarit të Urdhrit të Stomatologëve përballë standardeve të vendosura;

 ç) nxit arritjen e standardeve të larta në edukimin dhe formimin profesional dhe etik të anëtarëve të Urdhrit;

d) bashkëpunon me Qendrën Kombëtare të Edukimit në Vazhdim, institucione të tjera shkencore dhe arsimore për të siguruar standarde të larta në Edukimin e Vazhdueshëm Mjekësor, kualifikimet dhe specializimet pasuniversitare të Urdhrit;

dh) krijon dhe mban Regjistrin Themeltar të Urdhrit, i cili është i ndarë në pjesë të veçanta për stomatologët dhe ndihmësstomatologët dhe menaxhon sistemin e administrimit dhe përditësimit të tij; e) mbron të drejtat e anëtarëve të Urdhrit, integritetin moral dhe profesional të tyre e të profesionit të stomatologut.